Friday, October 11, 2013

Lamtumira e Duros në sfidën Shqipëri-Zvicër

Lamtumira e Duros në sfidën Shqipëri-Zvicër


Kur stadiumi të jetë ndezur plotësisht nga thirrjet “Shqipëri”, “Shqipëri”, pak minuta përpara goditjes së topit të parë të ndeshjes mes kuqezinjve dhe Zvicrës, këmbët e Klodian Duros do të prekin sërish tapetin e “Qemal Stafas”, dhe hapat e tij drejt tifozëve, do të jenë ato të lamtumirës, pas një karriere të pasur, në nivel klubesh por dhe me përfaqësuesen.

Ndeshja me Zvicrën, do të jetë dhe përshëndetja e lamtumirës, e 35-vjeçarit me tifozët kuqezi, por gjithashtu dhe përshëndetja e fundit me futbollin e luajtur.
Federata Shqiptare e Futbollit, do t’i kushtojë një ceremoni lamtumire, një prej lojtarëve që ka veshur më gjatë fanellën e përfaqësueses, plot 78 ndeshje, në të cilat ka realizuar dhe 6 gola, transmeton “Supersport”.
Dhe teksa në sfond do të shfaqen disa prej momenteve më të bukura të karrierës së tij futbollistike, Duro do të bëjë dhe xhiron e fushës për të rrëmbyer duartrokitjet e publikut të tij.
I lindur në Elbasan më 21 dhjetor, 1977, Duro e nisi karrierën e tij pikërisht te “verdh e blutë” e qytetit të tij, për të luajtur më pas me Tiranën, Partizanin dhe Vllazninë në Kategorinë Superiore.
Ndërsa një përvojë të gjatë ai pati dhe jashtë vendit, fillimisht me turqit e Malatyaspor, ku goli i tij ndaj Galatasaray-it ishte vlerësuar si më i bukuri i javës nga rrjeti mediatik sportiv, Eurosport.
Ndërsa në karrierën e tij Duro, veshi dhe fanellat e Samsunspor, Galatasaray, Çaykur Rizespor, Arminia Bielefeld, Omonia, Apollon Limassol dhe LASK Linz, ku luajti para rikthimit të tij te Tirana dhe vendimit përfundimtar për të varur përfundimisht këpucët në gozhdë. /Kosovapress

0 comments:

Post a Comment